Tmerr në Tiranë: Mori peng e dhunoi për 1 javë bashkëjetuesen, arrestohen 31-vjeçari dhe 4 persona
Policia e kryeqytetit i ka dhënë fund vuajtjes së një 28-vjeçareje, e cila prej nj ë jave mbahej me forcë në banesë nga bashkëjetuesi i saj, i cili gjatë kësaj periudhe e ka dhunuar vazhdimisht. Në pranga kanë rënë edhe 4 persona nën dyshimin si bashkëpunëtorë të 31-vjeçarit.
Një 28-vjeçare është marrë peng për 1 javë nga bashkëjetuesi i saj, i cili jo vetëm që i ka hequr lirinë, por gjatë kësaj periudhe e ka dhunuar vazhdimisht me sende të forta në banesën e tij në kryeqytet, në rrugën "Frosina Plaku".
Pasi është njohur me ngjarjen, efektivët të komisariatit numër 2 janë vënë në lëvizje duke arrestuar 31- vjeçarin të identifikuar me inicialet G.G.
Në prangat e bluve të kryeqytetit kanë rënë edhe 4 persona të tjerë, si bashkëpunëtorë. Konkretisht shtetasit B.N. dhe A. Sh. akuzohen se nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat.
Ndërsa dy vëllezërit me inicialet B. K. dhe E. K. kanë përkrahur autorin e dyshuar të pengmarrjes dhe dhunimit të 28-vjeçares, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.
Por 31-vjeçari G.G nuk do të përballet vetëm me akuzën e heqjes së lirisë dhe dhunës së ushtruar ndaj bashkëjetueses së tij. Gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivët e policia është zbuluar edhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar si kokainë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.
E reja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur është dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët.
Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së kryeqytetit për të hetuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, si edhe përfshirjen e personave të tjerë.
