Inzaghi kërkon zemrën e Interit në transfertën e Lisbonës
Simone Inzaghi në krizë rezultatesh do të sfidojë bashkë me Interin e tij Benfica-n në një ndeshje shumë të vështirë dhe delikate. Dueli më i rëndësishëm i zikaltërve deri në këtë pikë të sezonit por trajneri italian beson se skuadra e tij mund t’ia dalë mbanë nëse tregohet racionale dhe e kujdesshme në stadiumin “Da Luz”.
“Në këto momente kemi probleme për të gjetur golin, gjë që nuk kishte ndodhur vitin e kaluar deri në janar. Ne duhet të punojmë më fortë dhe të besojmë te vetja jonë. E dimë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por të gjithë së bashku mund t’ia dalim mbanë.
Po ndeshemi me një skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje në Champions. Kanë shënuar 28 gola, përfshirë dhe 7 në fazën e kaluar kundër Brugge, por ne jemi Interi dhe jemi përgatitur mirë. Si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Italisë kemi bërë tre ndeshje të mira, edhe pse nuk kemi marrë rezultate. Ne duhet të luajmë me mendje dhe me zemër”.
