Pep Guardiola paralajmëron Bayern-in: Luajmë vetëm për fitore!

Manchester City-Bayern Munchen nesër në mbrëmje në orën 21:00 është sfida më e fortë ne letër e kësaj faze çerekfinale në UEFA Champions League.

Pep Guardiola, i cili nuk fiton një trofe të këtyre përmasave që prej vitit 2013 kërkon që këtë herë të shkojë deri në fund pasi dy sezone më parë ishte shumë pranë në finalen e humbur ndaj Chelseat.

Trajneri katalanas flet për shumë tema në prag të sfidës së parë por kryesorja është padyshim ajo që lidhet me kundërshtarët e radhës.

“Ne do të përpiqemi të fitojmë kundër një skuadre elitare si Bajerni i Mynihut. Duhet ta meritosh Champions-in dhe ne do të përpiqemi të fitojmë ndeshjen e parë. Ne jemi përpjekur çdo sezon për ta fituar, por këtu ndeshesh me skuadra që janë të forta.

Ne do të përpiqemi gjithmonë, por kjo s’do të thotë që do ta fitojmë. Michael Jordan fitoi 6 tituj NBA, sa sezone luajti ai? 16. Ne duhet të jemi perfektë dhe të marrim një rezultat të mirë përpara se të shkojmë në Gjermani.

Përballja me Tuchel pas finales së humbur? Është diçka që ndodh. Ne e pamë ndeshjen një muaj më pas dhe nuk kishim luajtur dhe aq keq. Ishte një ndeshje e fortë, por e kemi harruar dhe tani do të përpiqemi ta fitojmë sërish. Disa herë fiton kur e meriton dhe disa herë humbet. Unë nuk jetoj në të shkuarën”.