Partizanit i ikën fitorja në fund, Egnatia e barazon në kohën shtesë
Nuk mjafton një gol i Mba në pjesën e parë por edhe Rexhepi në superformë për t’u larguar me tre pikë nga Rrogozhina.
Të kuqtë panë t’u ikte nga duart një sukses që mund t’i projektonte seriozisht drejt titullit edhe pse kanë ngelur 8 javë deri në fund. Egnatia barazoi 1-1 me golin e Zejnullahit në minutën e parë të shtesës duke zhvlerësuar sakrificat e mëdha të skuadrës mike.
Një sfidë shumë racionale për të kuqtë që preferuan ta prisnin skuadrën e Edlir Tetovës në gjysmëfushën e tyre duke e bazuar lojën në shkathtësinë e Mba dhe sigurinë e Hadrojit apo Carës që bënë një punë kolosale edhe në mesfushë e mbrojtje.
Egnatia shënoi madje edhe një gol me Kasajn në pjesën e parë por realizimi i lojtarit rrogozhinas u vendos në metrin e VAR që e anuloi për pozicion jashtë loje. Me këtë barazim, Partizani shkon në kuotën 48 ndërsa Egnatia mbetet në vendin e tretë me 42 pikë.
