“Transporti falas, 50 mijë lek në muaj kursim për familjet” Këlliçi me banorët e Kodrës së Priftit
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka vijuar të shpalosë programin për drejtimin e kryeqytetit pas zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Me banorët e Njësisë Nr.3, konkretisht në zonën e “Kodrës së Priftit”, Belind Këlliçi i ka dhënë përgjigje shqetësimit të qytetarëve për nismën e qeverisë, që parashikon shembjen e pallateve mbi 50-vjeçare në Tiranë.
Për këtë çështje, Belind Këlliçi u angazhua para qytetarëve se asnjë objekt më i vjetër se 50 vjet nuk do të shembet dhe se prona apo shtëpia e çdo qytetari, nuk do të preket.
“Për banesat mbi 50-vjeçare, u jap premtim konkret, asnjë banesë, shtëpia e askujt nuk do të preket dhe nuk do t`i vidhet prona askujt që banon, jo në godinë 50-vjeçare, po dhe 60, po 70 dhe më të vjetër. Do të ketë, do të ketë nëse do të jetë e nevojshme padiskutim një audit, që do të bëhet në prezencë të banorëve, të qytetarëve për pjesën që i takon bashkisë Tiranë, ama shtëpia nuk do t`i prishet asnjë qytetari, prona nuk do t`i vidhet asnjë qytetari, dhe garanci jam unë, fjala ime, kjo video që kam sot para jush, emri im” - u shpreh Belind Këlliçi.
Zona e “Kodrës së Priftit” preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe të kryeqytetit, ku dhjetëra banesa pritet të shemben nga ky projekt, ndërsa pronarët e tyre kanë protestuar vazhdimisht për shkak se nuk janë të kënaqur me dëmshpërblimet për pronën që preket nga ndërtimi i rrugës.
Belind Këlliçi u shpreh se në të ardhmen, çdo pronë e qytetarëve që do të preket nga veprat publike, do të dëmshpërblet me çmim tregu, ndërsa ajo nuk do të merret pa pasur dakordësinë e pronarit të saj.
“Unë u jap një premtim publik, në radhë të parë përsëris premtimin që kam dhënë te “5 Maji”: çdo qytetari që mund t`i preket shtëpia apo prona për shkak të një projekti shtetëror, do të dëmshpërblehet me vlerën e tregut dhe asnjë lloj ndërhyrje nuk do të bëhet pa u dakordësuar me qytetarin”-tha Këlliçi.
Para banorëve të zonës së “Kodrës së Priftit” dhe gjithë Njësisë Nr.3, Belind Këlliçi tregoi edhe planin për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në kryeqytet, ku pritet që 30 % e parkingjeve publike me pagesë, të bëhen pa pagesë për qytetarët.
Për zonën e “Kodrës së Priftit”, Belind Këlliçi premtoi ndërtimin e të paktën tre institucioneve arsimore gjatë mandatit të parë.
