Rama: Pagat e ushtarakëve shqiptarë, në mesataren e lartë të NATO-s, do t'i rrisim çdo vit

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ambicia e qeverisë është që të gjithë ata që veshin uniformën e Republikës së Shqipërisë të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s.

Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, Rama u shpreh se kjo nuk do të ndodhë pas 10 vitesh, por në pak vitet që vijnë.

“Sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë, me arsimin më të ulët është një shpërblim i cili jo vetëm është mbi pagën minimale në mënyrë të ndjeshme, por do të shkojë në rritje çdo vit. Ne i kemi rritur pagat dhe në vijim do të vazhdojmë t’i rrisim”, tha ai.

Sipas Kryeministrit, “kjo që kurorëzohet sot është edhe një arsye shumë e fortë për të rinjtë që t’i bashkohen FA-së”.

Ndërkohë, Rama tha se në sport po kurorëzohet një përpjekje që ka filluar prej kohësh, duke u bërë të mundur sportistëve ta përfaqësojnë me dinjitet Shqipërinë.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për këta fëmijë dhe të gjithë të rejat e rinjtë që dëshirën për t’u marrë me sport, për t’i ngjarë përditë kampionëve tanë do ta kenë edhe më të motivuar nga bindja se do të ngjiten një ditë në këtë podium, pasi të jenë ngjitur në podiume në arenat ndërkombëtare të sportit. Se nuk do të jenë kampionë të harrur e njerëz të braktisur, por do të kenë mundësinë e një page dinjitoze deri në fund të jetës aktive, por edhe një pensioni përkundër gradës. Do të kenë mundësi të garantojnë kontributin e merituar për familjet e tyre”, tha ai.