“14 maji”, ODIHR rikthen Glover, shefja e Misionit të Vëzhgues do të monitorojë zgjedhjet
Audrey Glover është rikthyer në tiranë si shefe e misionit të vëzhguesve të ODIHR për të monitoruar për herë të pestë, zgjedhjet në Shqipëri. takimin e parë, ajo e zhvilloi në komisionin qendror të zgjedhjeve ndërkohë gjatë javës do të flasë nga afër me të gjithë aktorët para se të publikojë konkluzionet e kësaj faze të vëzhgimit.
Përgatitjet për zgjedhjet lokale të 14 majit kanë sjellë në Tiranë shefen e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover.
Takimin e parë, ajo e zhvilloi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku për rreth 1 orë, i dha direktivat e saj Kryekomisionerit Ilirian Celibashi dhe anëtarëve të relatorit dhe KAS.
Përgjatë qëndrimit 1-javor në Shqipëri, shefja e misionit të vëzhguesve do të zhvillojë takime maratonë edhe me përfaqësuesit e institucioneve si dhe krerët e partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit.
Ndërkohë të premten në orën 11, Glover do të zhvillojë edhe një konferencë me mediat, për të bërë publike konkluzionet e kësaj faze të monitorimit.
ODIHR ka vendosur të sjellë në Shqipëri një mision me 324 vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet lokale të 14 majit ndërsa Audrey Glover ka një histori të gjatë me vendin tonë pasi për herë të parë ka drejtuar misionin e vëzhgimit në zgjedhjet politike të vitit 1996.
Ajo u rikthye në zgjedhjet e vitit 2009 e më pas në ato të viteve 2015, 2019 për të vijuar edhe me monitorimin e garës së 14 Majit.
