"Argjentina ka falimentuar 3-4 herë", Hasimja tregon ku do të na çonte rritja artificiale e pagave dhe pensioneve

Politologu Ermal Hasimja duke komentuar  në "Ora e Betit" premtimet e Ramës për rritje pagash dhe pensionesh në prag zgjedhjesh thotë se frika e tij është se mund ti bëjë realitet dhe të rrisë borxhin apo taksat.

Ai solli si shembuj rastin e Greqisë dhe Argjentinës për të kuptuar se ku mund të shkojmë përmes kësaj rritje artificiale.

Hasimja: Frika ime nuk është se qeveria nuk do ti rrisi dot, frika është që mund ti rrisë sepse mund të rrisë borxhin ose taksat. Nëse do të realizohet do të realizohet në kushtet e një ekonomie në të cilën ai motor që e mban gjallë, sektori privat, është jashtëzakonsiht i ngarkuar me taksa, gjoba, ryshfete. Ti shtosh taksa të tjera do të jetë problem i madh.

Dhe kur merr borxhe je duke taksuar vendin tënd.Halli i vërtetë nuk është premtimi por fakti se qeveria mund ta ketë seriozisht këtë gjë dhe ta realizojë. Ne nuk do të ishim shteti i parë në planet që ka sfiduar teoritë ekonomike dhe të shkojë të përplaset me murin siç e bëri Greqia përpara disa vitesh. E ka bërë dhe Argjentina që ka falimentuar 3-4 herë, e kanë bërë dhe vendet të tjera në botë.Rastin e Greqisë e kemi shumë të qartë se është më afër këtij lloj tipi të filozofisë qeverisëse.