7 sportistë elitarë marrin gradën kolonel në FA, Peleshi e Rama: Pika e përbashkët dashuria për vendin
Qeveria shqiptare është duke zhvilluar ceremoninë për dhënien e gradave ushtarak për sportistët kampion të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore.
Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë i bashkohet sot elita kombëtare e sportit shqiptar.
Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se janë 7 sportistë elitarë që gradohen kolonel i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq: Luiza Gega e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih, Gjermani gusht 2022, Briken Calja i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan dhjetor 2021,
Erkand Qerimaj i cili mori vendin e parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë maj 2022, Alban Beqiri i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, nëntor 2022.
Po ashtu, trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova edhe zyrtarisht tashmë me gradën kolonel janë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.

Ministri Peleshi vuri në dukje se ky konkretizim nisi si një angazhimi i Kryeministrit vitin e kaluar, duke u kthyer në ligj.
“Sot ky ligj po zbatohet duke dhënë gradën e lartë Kolonel për 7 sportistët tanë elitarë. Është dhe një plejadë e sportistëve të tjerë që në bazë të këtij ligji fitojnë gradat major, nënkolonel”, shtoi Peleshi.
Peleshi u shpreh se, ka një të përbashkët ndërmjet sportistëve elitarë, misionit të tyre dhe misionit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.
"Kjo pikë e përbashkët është flamuri i Shqipërisë dhe dashuria për vendin. Kjo na bashkon sot këtu dhe i jep legjitimitet dhe mbështetje morale të jashtëzakonshme këtij gjesti të qeverisë shqiptare dhe Kuvendit, pra dhënies së gradave të larta të sportistëve elitarë që me flamurin e Shqipërisë kanë arritur rezultatet më të larta kudo në botë”, u shpreh Peleshi,

Në ceremoninë e dhënies së gradave ushtarak për sportistët elitar të Shqipërisë dhe Kosovës, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka thënë se nuk është e largët dita kur për shkak të kushteve, sportistët elitarë kuqezinj janë larguar dhe kanë garuar për tjetër flamur.
"Teksa përgatiteshim për këtë ceremoni, më kujtohen ata sportistë që u detyruan të garonin për një tjetër flamur. Jo sepse ata e donin më pak Shqipërinë, ata u detyruan nga kushtet që të largoheshin. Nuk kishin as kushtet minimale për stërvitje, ndërsa sot kemi një tjetër realitet. Falë punës dhe sakrificës së tyre, ata sot kanë merituar suksesin. Sot kemi një vendim të Këshillit të Ministrave që shpërblen sportistët dhe trajnerët, kemi plane konkrete për vlerësimin e tyre. Asnjë shpërblim monetar nuk e vlerëson atë krenari që ata na kanë dhënë. Kampionët tanë janë pjesë e Forcave të Armatosura, duke marrë edhe grada honorifike. Të jesh pjesë e FA është nder edhe privilegj. Këta kampionë do jenë pjesë e frymëzimit të brezit të ri. Ky është një mision i lartë ndaj Atdheut", tha ministrja Kushi.



