Komision hetimor për Portin e Durrësit, Bylykbashi: U cenua nyja më e rëndësishme ushtarake

Me argumentin se u dëmtua nyja më e rëndësishme ushtarake, u shpërdorua prona publike dhe se investimi nuk ka garanci opozita kërkon komision hetimor për portin e dorësit. Oerd Bylykbashi ka dorëzuar dokumentin me më shumë se 35 firma ku kanë nënshkruar edhe deputetët që lanë mandatin.

Marrëveshja për portin e Durrësit është objekti I një tjetër komisioni parlamentar hetimor të kërkuar prej opozitës. 35 firmat janë dorëzuar nga Oerd Bylykbashi dhe Albana Fokshi që për mediat e cilësuan aferë korruptive.

"Sapo depozituam në emër të 35 deputetëve të opozitës, kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për të hetuar aferën më skandaloze korruptive dhe grabitqare, atë të Portit të Durrësit dhe dhënies për interesa private të klientëve të Ramës, kërkesë që bëhet me kërkesë të 35 deputetëve të opozitës, që me firmat e tyre detyrojnë sipas Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendin për ta ngritur pa diskutim këtë komision hetimor.”

Kërkesa është firmosur dhe prej deputetëve që kanë lënë mandatin, por për nismëtarët kjo nuk përbën problem.

“Kanë firmosur edhe deputetë që e kanë lënë sot mandatin, por ata janë përtej numrit 35, si zoti Këlliçi dhe zoti Boçi. Por kërkesa ka 35 firmat e nevojshme për të bërë të detyrueshme ngritjen e këtij komisioni.”

Ndër pikat e konsideruara si shkelje renditën nga prona publike, te e drejta e pushtetit vendor, por dhe garancinë.

Deputeti Oerd Bylykb ashi nënvizon se projekti dëmton nyjen më të rëndësishme strategjike ushtarake të Shqipërisë. 

“Grabitja e Portit të Durrësit është afera më kriminale dhe korruptive. Grabitet aseti më i madh strategjik i Republikës së Shqipërisë. Jo vetëm në aspektin ekonomik, jo vetëm si një pronë gjigante publike, që i merret jo vetëm qytetarit të Durrësit, por gjithë Shqipërisë, por ka shkelur në mënyrë brutale Kushtetutën, detyrimet e Shqipërisë në kuadër të MSA dhe çdo aspekt tjetër që garanton që prona publike administrohet në interes të publikut, me transparencë, me drejtësi, me konkurrencë të hapur dhe garanton nga ana tjetër, zhvillim strategjik.”

Tashmë propozimi do të duhet të kalojë në konferencën e kryetarëve, ku mazhoranca do të vlerësojë nëse nisma është apo jo e ligjshme.