PS thotë se është dënuar, kandidati për Shijakun: Kam vetëm kundravajtje, e kam deklaruar në KQZ
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shijakut, Rezart Tusha i sheh akuzat e Partisë Socialiste si frike për përballjen në zgjedhjet e 14 majit. Ai tha se nuk është dëbuar nga Zvicra në vitin 1997 për trafikimin e lëndëve narkotike, por vetëm për shkelje të lejes së qëndrimit. Nga ana tjetër precedentët penalë të kandidatëve duket se janë kthyer në një kalë beteje për partitë politike në prag të fushatës elektorale.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shijakut Rezart Tusha tha se Partia Socialiste ka frikë nga përballja në zgjedhje ndaj po ngre akuza se ai është dëbuar nga Zvicra në vitin 1997 për shkak të akuzave për trafikim të lëndëve narkotike.
Partia Socialiste kërkoi çregjistrimin e Tushës nga zgjedhjet e 14 majit. Por kandidati për bashkinë e Shijakut u shpreh se nuk është dënuar kurrë në Zvicër. Ai pranoi vetëm se ka thyer leje qëndrimin dhe çdo gjë e ka deklaruar në formularin e KQZ.
“Unë dua të sqaroj opinionin publik në lidhje me atë që qeveria dhe mediat pranë saj quajnë “dënim”. Fakt ky që ndodhet vetëm në imagjinatën e tyre, jo në dokumente zyrtare. KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qëndrimit.
Sipas Tushës, kjo çështje u ngrit edhe në vitin 2021 kur kandidoi për deputet por akuzat morën përgjigje nga organet e drejtësisë.
“Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vitit 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet. Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit.”
Çështjet penale të kandidatëve apo deputetëve duket se janë kthyer në një mjet beteje për partitë politike në prag të fushatave elektorale.
Edhe kryebashkiaku Kreshnik Hajdari, i cili kandidon për një mandat të dytë nën logon e Partisë Socialiste, akuzohet se është dënuar në Greqi gjatë viteve 90’.
Më herët disa kryebashkiakë të PS, kanë humbur mandatin në Kavajë dhe Shkodër për shkak të dënimeve të pa deklaruara jashtë Shqipërisë.
