"Gërdeci" kalon për gjykim, me 24 prill seanca ndaj ish-ministrit Mediu

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë zyrtarisht i pandehur për dy vepra penale, ndërsa Gjykata e Posaçme Antikorrupsion kaloi për gjykim çështjen "Gërdeci".

Gjyqtarja Irena Gjoka zyrtarizoi akuzat për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim dhe shpërdorim i detyrës në kuadër ushtarak, të ngritura nga SPAK që rihetoi ngjarjen pas kallëzimit të familjes Durda.

Gjyqi ndaj ish-funksionarit të lartë do të zhvillohet me procedurë të shkurtuar, çka në rast të shpalljes fajtor Fatmir Mediut i ulet 1/3 e dënimit, ndërsa u rrëzua kërkesa e familjes Durda për të qenë palë në proces.

Për Zamira Durdën vendimi ishte i turpshëm.

"Duhet të shkarkohet SPAK i gjithë. Zamira do vijojë betejën, është turp".

Ndërsa avokati Dorian Matlija përsëriti se procesi duhet të zhvillohet me praninë  e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.

"Unë nuk e konsideroj të vlefshme këtë si procedurë. Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Do jemi prezent edhe në seancën tjetër. Do të paraqesim kërkesat tonë. Gjykimi i shkurtuar patjetër që do të pranojë kërkesën e të pandehurit. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve. Është investuar edhe Gjykata e Evropiane për të drejtat e Njeriut."

Ish-ministri Fatmir Mediu nuk u paraqit në seancën paraprake, ndërsa dy mbrojtësit e tij ligjorë nuk pranuan të bëjnë komente pas vendimit të Gjykatës.

Seanca e parë e procesit do të mbahet më 24 prill në orën 8:30.

SPAK thotë se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, kanë nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar tragjedinë më humbjen e jetëve të 26 personave.