38% e lindjeve me operacion, mjekja: Trendi në rritje, lindjet natyrale kanë përfitime më të mëdha
Në Shqipëri trendi i lindjeve me operacion ka pësuar rritje duke arritur deri në mbi 38%. Specialistët rekomandojnë lindjet natyrale, pasi përfitimet janë edhe më të mëdha.
Rreth 38% e grave shtatzëna në Shqipëri zgjedhin t'i sjellin në jetë fëmijët përmes operacionit.
Mjekët thonë se ky trend është në rritje, ndërsa në Evropë numri i lindjeve me operacion është edhe më i lartë.
"Në statistika është 38%. Kjo dukuri nuk është vetëm në Shqipëri, por gjithë botën. Ka vende që mund ta kenë 50%".
Por përse refuzohet lindja natyrale? Mjekja obstetër gjinekologe, Alma Damazi, thotë se një ndër faktorët është frika por edhe zgjedhja së pari e karrierës nga vajzat e gratë.
"Zgjedhin të jenë familje më numër të vogël fëmijësh, zgjedhin të jenë në një kohë pak më të largët nga normalja e fillimit të një shtatzanie."
Kur nuk cënohet jeta e bebit apo nënës këshillohet që lindja të jetë natyrale, pasi edhe përfitimet janë edhe më të mëdha.
"Zgjedhja më e mirë do të ishte një lindje normale. Çelësi i suksesit është bashkëpunimi i mirë mjek-pacient. Ky bashkëpunim do të ishte i frytshëm nëse punon që herët".
Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një e treta e lindjeve deri në vitin 2030 mund të ndodhin me operacion.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
