Kadastra e Vlorës çon në SPAK 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, legalizuan një objekt duke cënuar xhaminë e qytetit

Agjensia e Kadastrës në Vlorë ka kallëzuar penalisht 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët pas verifikimeve është konstatuar shpërdorimi i detyrës dhe shkelje të rënda në dhënien e lejes së legalizimit dhe titullit të pronësisë në cënim të truallit të Komunitetit Mysliman.Në një reagim drejtoresha e këtij institucioni, Dallëndyshe Bici, thotë se po kryhen verifikime edhe për vendime të tjera.

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës ka kallëzuar penalisht në SPAK për akuzën e shpërdorim detyre tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Drejtorisë Vendore të ASHK Vlorë.

Pas verifikimeve të kryera, janë evidentuar shkelje të rënda në dhënien e lejes së legalizimit dhe titullit të pronësisë në cënim të truallit të Komunitetit Mysliman.

Të kallëzuarit janë drejtori aktual i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Erdet Mandi, ish-drejtori Bilbil Aliaj si dhe ish-përgjegjësit e sektorit të legalizimeve dhe specialistët dhe ish-specialistët në ASHK Vlorë.

Drejtorja e sapoemëruar Dallandyshe Bici është shprehur se pas gjetjeve të shkeljeve të rënda ka angazhuar edhe Prokurorinë e Posaçme për hetimin e mëtejshëm të kësaj skene korrupsioni.

Dallëndyshe Bici: Kemi filluar dhe do të bëjmë verifikime të hollësishme në të gjitha drejtoritë vendore, nisur nga indicie të qytetarëve, apo raporte zyrtare. Ne jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Kush nga punonjësit e ASHK i ka kuptuar ndryshe politikat e qeverisjes sonë, do të përballet me ligjin dhe drejtësinë.

Kadastra e Vlorës prej vitësh ka njohur vetëm probleme dhe disa herë ndryshime drejtuesish.

Kështu në 4 vitet e fundit me shumë se 12 drejtorë kanë provuar karrigen e kryetarit.

Disa prej tyre kanë rezistuar disa muaj e të tjerë vetëm pak ditë.

Sipas drejtuesve atje, qyteti i Vlorës prej vitesh po mbart problemin e pronave për të cilin shumë qytetarë i janë drejtuar dyerve të drejtësisë për të gjetur zgjidhje.

Të kallëzuarit “Për shpërdorim detyre” janë:

Erdet Mandi, aktualisht Drejtor i ASHK-Vlorë

Bilbil Aliaj, ish- Drejtor i ASHK Vlorë

Renato Beshaj, ish-përgjegjës i sektorit të legalizimeve ASHK Vlorë

Denis Metaj, ish- përgjegjës i sektorit hartografisë

Dorjana Ferati, ish-përgjegjës i sektorit të çështjeve të pronësisë, aktualisht përgjegjëse e arshivë- protokollit ASHK Vlorë

Anisa Golemi, specialiste ASHK Vlorë

Bojkena Bani, ish-specialiste ASHK Vlorë

Teuta Meço, specialiste ASHK Vlorë