Vetëvrasje apo vrasje? Shoqërohet në polici shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja keniane Joy Ayoko (EMRI)

Efektivët e Komisariatit nr. 1 në Tiranë kanë shoqëruar në shoferin e kazinosë ku punonte shtetësja keniane Joy Ayokos, që humbi jetën pak ditë më parë në Kenia, por ndërkohë hetimet po zhvillohen në Shqipëri.

Shoqërimi i tij është kryer pasi besohet se është personi i fundit që ka pasut kontakt me 22-vjeçaren keniane.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Rodi Barçi 32-vjeç, shoqërimi i të cilit është bërë me urdhër të gjykatës.

Po ashtu, mësohet se përveç shoferit të kazinosë, në kuadër të hetimeve do të merret në pyetje edhe shoqja e dhomës ku Joy ka jetuar në hostel.

Gjithashtu mësohet se policia po bën edhe disa kontrolle banesash në kuadër të hetimeve të vdekjes tragjike të 22-vjeçares.

Nga ana tjetër prokuroria para një jave ka kërkuar marrjen e përgjigjes së autopsisë në kuadër të hetimeve që po ndiqen në vendin tonë.

Përmes ambasadës së Kenias në Romë, akuza e kryeqytetit i është drejtuar me një letërporosi, prokurorisë së Kenias, duke kërkuar vënien në dispozicion të autopsisë që Joy Ayokos, i është bërë në morgun e spitalit ku ndërroi jetë.

Ky veprim procedurial, është kryer në vijim të hetimeve që po kryen prokuroria, me qëllim zbardhjen e rrethanave, që i ka shkaktuar vdekjen Joy Ayokos.