Vrasja e Pjerin Xhuvanit, policët nuk do të arrestohen. Avokatët: Përgjegjësit të dënohen
Sot Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan rrëzoi kërkesën e prokurorëve për të arrestuar gjashtë policët që kanë qenë të pranishëm në vrasjen e mjekut Xhuvani ndodhur më 21 prill të vitit 2021.
Sipas avokatëve të palës së Xhuvanit, kjo kërkesë për arrest në shtëpi u bë në seancën e kaluar dhe nuk i përket dy ish-zëvendës drejtuesve të policisë që janë të pandehur në proces së bashku me 6 policët.
“Në këtë proces unë kam tre detyra profesionale për të përfaqësuar të drejtat e po të njëjtëve persona në rolin e Palës civile, pra individë që kanë patur një dëm të madh nga vrasja e mjekut Pjerin Xhuvani. Përveçse mbrojtjes të të drejtave të bashkëshortes dhe vajzës unë kam prokurë noteriale për të përfaqësuar edhe dhëndrin e viktimës që sot nuk ishte i pranishëm në seancë sepse aktualisht është jashtë.
Evidentoj se ky i asistuari im është plagosur me të shtëna pistolete gjatë vrasjes së vjehrrit të tij dhe që në këtë proces, nëpërmjet meje, kërkon drejtësi dhe pra të gjithë ata që në cilëndo situatë kanë patur përgjegjësi për atë vrasje dhe plagosjen e tij të dënohen me një dënim të drejtë.” - tha avokate Rezarta Tahiraj që e përfaqëson në proces me rolin Palës civile.
Në referim me mungesën sot të këtij të asistuari të saj avokate Tahiraj u përgjigj duke evidentuar se në këtë proces nuk janë të paktë dëshmitarët që, duke qenë jashtë, nuk mundën të paraqiteshin në seancë.
Së fundmi, Tahiraj shtoi se nuk duhet harruar kurrë se i asistuari i saj u plagos dhe rrezikoi të vdesë për faj të personave kundërshtarë politikisht, por ende konkretisht jo të identifikuar.
