Joy Ayoko vdiq në Kenia, por hetimi bëhet në Tiranë. Prokuroria letërporosi drejt Kenias për autopsinë

Vdekja pesë ditë më parë e shtetases Keniane Joy Ayokos, fati i të cilës vijon të mbetet i paqartë nëse është vrarë apo vëtvrarë në Tiranë, ka detyruar prokurorinë e kryeqytetit, të kërkojë ekspertizën e autopsisë nga drejtësia Keniane.

Përmes ambasadës së Kenias në Romë, akuza e kryeqytetit i është drejtuar me një letërporosi, prokurorisë së Kenias, duke kërkuar vënien në dispozicion të autopsisë që Joy Ayokos, i është bërë në morgun e spitalit ku ndërroi jetë.

Ky veprim procedurial, është kryer në vijim të hetimeve që po kryen prokuroria, me qëllim zbardhjen e rrethanave, që i ka shkaktuar vdekjen Joy Ayokos.

“Ora News” mëson se prokuroria ka hyrë në kontakt me përfaqësues të ambasadës Keniane në Romë, me qëllim marjen e dokumentave që lidhen me autopsinë.

Ndërsa tek spitali i Traumës, është tërhequr plotësisht kartela mjekësore, që tregon diagnozat dhe mjekimet që ka ndjekur Joy.

Dy javë para se keniania të ndërronte jetë, prokuroria dhe policia e Tiranës, janë kthyer për të dytën herë radhazi në apartamentin, ku jetonte vajza në Tiranë.

Qëllimi i vizitës së prokurorit, është realizuar me qëllim kryerjen e një eksperimenti hetimor, duke u bazuar dhe në të dhëna të tjera të mbledhura gjatë kësaj kohe të hetimit.

Ndërsa disa fije flokësh, janë administruar si prova, të cilat do analizohen biologjikisht në laboratorin e policisë shkencore.

Përmes këtyre provave dhe kryerjes së një eksperimenti, ekspertët kërkojnë të ndërtojnë një version të mundshëm, mbi dinamikën e lëvizjeve, që besohet të ketë kryer mesnatën e 13 Gushtit 2022, shtetasja Keniane, Joy Ayoko.

Kjo e fundit mësohet se është rrëzuar ose hedhur nga dritarja e katit të 3-të, duke rënë në pjesën e pasme të pallatit.

Mbrëmjen e 13 gushtit, Joy Ayoko, ka qenë e vetme në banesë, ndërsa në krevatin e saj policia, gjeti dhe sekuestroi një tas me pilaf.

Veprimet e para hetimore, Policia e Shtetit, i ka kryer në 15 gusht 2022, kohë kur dhe ka dërguar materialin për vlerësim në prokurorinë e Tiranës.

Por për shkak se shumë procedura hetimore nuk janë kryer nga policia në Muajin Gusht, tashmë i mbetet prokurorisë së Tiranës, që të lerë detyra shtesë për kryerjen e tyre, ku një ndër to është dhe eksperimenti hetimor.

Dy nga tre pistat kryesore, ku prokuroria e Tiranës, po zhvillon hetime për rastin e shtetases keniane, Joy Ayoko, është ajo e “Vetëvrasjes” dhe “Shkaktimit të vetëvrasjes”.

Keniania Joy Ayoko ndodhej në Shqipëri pasi ishte pjesë e stafit të “Arena Kazino”, që menaxhohet nga Bledar Sinanaj.