Sherr i dhunshëm mes vajzave, policia identifikon 5 të miturit, merren në pyetje me prindërit
Pesë të mitur u shoqëruan në policinë e Tiranës, pas publikimit të një videoje ku ata përleshen mes tyre pranë shkollës "Kongresi i Manastirit".
Pamjet u publikuan në rrjetet sociale ndërsa institucioni arsimor reagoi duke thënë se ngjarja ka ndodhur në rrugë. Policia nisi hetime dhe ka marrë në pyetje 5 të miturit në prani të prindërve.
Një video me pamje të rënda të një konflikti mes disa vajzave të mitura në një prej shkollave të tiranës u publikua në rrjetet sociale të premten
Skenat e regjistruara siç duket nga bashkëmoshatarë të nxënëseve, tregojnë disa vajza që përleshen mes tyre dhunshëm ndërkohë që përdorin edhe fjalor problematik.
Fillimisht u raportua se ngjarja kishte ndodhur ne ambient e shkollës kongresi I manastirit, por drejtoria e këtij institucioni reagoi duke mohuar këtë fakt. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në datën 15 shkurt 2023 në orën 14:00 në vendin e quajtur “Pallati Dilo” rreth një kilometër larg shkollës.
Megjithatë institucioni arsimor u vu menjëherë në lëvizje dhe pas verifikimeve rezultoi se asnjëra nga vajzat nuk e kanë raportuar askund ngjarjen, as tek prindërit e tyre. Megjithatë, vetë shkolla ka njoftuar prindërit e vajzave dhe ka denoncuar edhe në polici.
Drejtoria e policisë së Tiranës njoftoi në orët e mbrëmjes se ka nisur hetimin për ngjarjen. Në një deklaratë policia tha se pas verifikimeve të kryera u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.
Një djalë dhe katër vajza, të moshave 13 dhe 14 vjeç janë shoqëruar në komisariatin nr.6 ku janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe psikologëve me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
