Rama për Ukrainën: Rusia nuk mund ta fitojë luftën, loja me bomba atomike është turp!

Rusia nuk mund ta fitojë Luftën, dhe loja me bomba atomike është turp! Ky ishte mesazhi i kryeministrit Edi Rama për 1 vjetorin e luftës në Ukrainë, të cilin e përcolli nga Hiroshima e Japonisë ku u hodh bomba e parë atomike. 

Rusia nuk mund ta fitojë luftën, deklaron kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Mesazhin e 1-vjetorit të luftës ne Ukraine Rama e përcolli nga Hiroshima e bombës atomike, ndërsa tha se sot është turp i civilizimit tonë, loja me bombat atomike.

Rama: Ishin të shumtë ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh, por ja ku jemi këtu sot, 1 vit rezistencë heroike e popullit të Ukrainës nën lidershipin guximtar dhe vullnet hekurt të presidentit Zelensky, me mbështetjen e botës demokratike dhe tanimë është e qartë për të gjithë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën.

Simbolika edhe me e fortë! Përvjetori i luftës e gjeti kreun e qeverisë shqiptare në Hiroshima të Japonisë, atje ku në 6 gushtin e 45 shpërtheu bomba e parë atomike, pasojat e të cilës ndihen edhe sot.

E ndërsa Presidenti putin po përforcon çdo ditë e  më shumë retorikën e armëve bërthamore, Kryeministri i Shqipërisë thotë se ky është një turp, e jo lojë me kukulla. 

“Shtoj që të luash sot me fjalën bombë atomike sikur flet për kukulla, është vërtetë një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën, aleancën e të gjitha vendeve demokratike dhe mbi të gjitha, vendosmërinë e secilit që ka respekt për dinjitetin njerëzor, për lirinë, për vlerat e demokracisë, në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje për ta kthyer të shkuarën të dështojë me turp.”

Pas kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama vizitoi Muzeun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima ku pa nga afër dëshmi të një pjese të errët të historisë së Japonisë.

Duke ripërsëritur edhe njëherë mesazhin e tij, se askush nuk duhet as ta imagjinojë të luajë me armët bërthamor, thekoi se nuk as nuk duhet të ketë kërcënime ndaj qytetërimit me armë të shkatërrimit në masë.