"Edhe Balaj do të shënojë" Luçi: Në Shkodër nuk konceptohet asgjë tjetër po nuk dole kampion
Roland Luçi në emisionin “Ora Sport” në RTV Ora tha se shkodranët i janë kthyer traditës.
Ai vlerëson edhe afrimin e Bekim Balajt në skuadër.
Sipas tij mungesa e golit nuk përbën problem për të, duke sjellë në kujtesë edhe një rast nga karriera e tij, kur i janë dashur disa ndeshje për të shënuar golin e parë.
Roland Luçi: Vllaznia e Shkodrës ka bërë hap cilësor që me ardhjen e Brdariçit. Aty ndryshoi fizionomi, u kthye në traditën e saj. Kërkon të luajë, kërkon një fitore të pastër, të bukur. Nuk është më ajo Vllazni e 10 viteve të fundit, një lloj katenaçoje që nuk i përshtatet kurrë qytetit të Shkodrës. Këto 2-3 vitet e fundit është në rangun e Tiranës dhe Partizanit. Balajn e kam ndjekur, e kam ndjekur edhe jashtë shtetit. Ai gëzon një gjendje të mirë fizike. Është një përforcim për Vllazninë. Golat i mungojnë, por kjo nuk do të thotë që ka ndikuar pozitivisht për Vllazninë.
Sipas tij Balaj "Është fuqia kryesore sulmuese e Vllaznisë".
Roland Luçi: Është fuqia kryesore sulmuese e Vllaznisë. Por të mos harrojmë se qendërsulmuesi mbulohet nga 3-4 mbrojtës. Ai nuk është një tip Myleri, është një tip lojtari shumë punëtor. E kam parë Balajn që ka punuar mirë. Pa Balajn Vllaznia nuk do të ishte në këtë gjendje që është, do të ishte disi më dobët. Me shënimin e golit, ai do të çlirohet.
Luçi thotë se "Në Shkodër nuk konceptohet asgjë tjetër po nuk dole kampion".
Roland Luçi: Në Shkodër nuk konceptohet asgjë tjetër po nuk dole kampion, ose po nuk luftove deri në fund për titullin kampion. Nuk mund të konceptohet që Vllaznia luan për mbijetesë ose sa për të kaluar radhën. Nuk do ta konsideroj Tiranën ekip më të mirë se Vllaznia, por është në një pozicion më të mirë që i jep një farë lirshmërie.
"Këtë periudhë që po kalon Balaj e kam kaluar unë. Më janë dashur 5-6 ndeshje për të shënuar gol. Por goli do të vijë. Edhe Balaj do të shënojë. Mund të vijë edhe nga një penallti. E rëndësishme është që ta ndjejë veten që: ‘Unë jam ai Bekimi i fuqishëm, unë jam ai Bekimi që i kam shënuar Portugalisë‘“, tha Roland Luçi në RTV Ora.
