Biletë për në Europë, Juventusi fiton ndeshjen e tretë rresht, Hysaj triumfon në Salerno (VIDEO)

Pas barazimit me Nantes në Europa League, Juventus rikthehet të fitojë dhe këtë e bën në kampionat ku gjen sërish shpëtim. Skuadra bardhezi nuk hasi aspak vështirësi në transfertën e La Spezias ku kaloi pastër 2-0 skuadrën vendase dhe tashmë mund të konsiderohet jashtë zonës së rrezikut pas heqjes së 15 pikëve në klasifikimin e përgjithshëm.

Moise Kean në pjesën e parë dhe Di Maria në të dytën i dhanë vazhdimësi sezonit të torinezëve që numërojnë 9 pikë në 3 ndeshjet e fundit dhe tashmë mund të kërkojnë fillimisht një biletë për në Europa League.

Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme, Lazio rigjeti fitoren pas tre rezultateve zhgënjyese. 90 minuta në këmbët e Elseid Hysajt në transfertën e Salernos ku Ciro Immobile me dy gola vulosi fitoren bardhekaltër.

Surprizën negative e bën Atalanta në ndeshjen e orës 12:30 pasi u mposht nga Lecce 2-1 në shtëpi, ndërsa Fiorentina dhe Empoli u ndanë në barazim 1-1 në derbin e Toskanës.