Byroja lë Berishën jashtë kuvendit, rrëzohet ankimi i demokratëve të përjashtuar

Byroja e Kuvendit la në fuqi përjashtimin e Sali Berishës dhe tre deputetëve të tjerë duke i penguar ata të hyjnë në parlament. Ankimi i bërë nga deputetët e opozitës u rrëzua para nisjes së seancës plenare. Procedura e ndjekur i cilësua nga demokratët si mbyllje e gojës për opozitën ndërsa ata thanë se mbledhja e byrosë është bërë ilegaliasht para seancës.

Deputetët e opozitës Sali Berisha, Edi Paloka, Belind Këlliçi e Flamur Noka, mbeten të përjashtuar nga parlamenti pavarësisht protestës së radhës të mbajtur nga partia demokratike dhe partia e lirisë.

Ata nuk u lejuan të hyjnë në parlament në seancën plenare.

Oerd bylykbashi dhe Belind Këlliçi akuzuan parlamentin dhe Edi Ramën se po i mbyllin gojën opozitës duke mos lejuar deputetët të hyjnë në kuvend edhe pse ata kishin ankimuar vendimin e përjashtimit me nga 5 dhe 10 ditë.

Por duket se para seancës së kuvendit, byroja ishte mbledhur dhe kishte vendosur rrëzimin e ankimit të deputetëve të PD duke lënë në fuqi përjashtimin e tyre.

Këtë mënyrë veprimi demokratët e cilësuan një skenar të mirëmenduar për pengimin e hyrjes së deputetëve në kuvend.

Për shkak të incidenteve në seancën e mëparshme, me bllokimin e foltores kuvendi përjashtoi të mërkurën me nga 10 ditë Sali Berishën dhe Edi Palokën dhe me nga pesë ditë Belind Këlliçin e Flamur Nokën.