Vila 3-katëshe si "shtëpi bari" në Fier, në pranga pronari i saj dhe dy punonjës të OSHEE
Fenomeni i ri në vendin tonë nuk është më “Shtëpitë e Barit” por “Vilat e Barit”.
Në një fshat të Fierit policia gjeti se brenda një vile tre katëshe po kultivoheshinm bimë narkotike me llampa. Kjo është vila e dytë që gjendet në harkun kohor të pak ditëve, pasi më herët në një vilë luksoze në Vlorë dy katet e saj ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Në këtë vilë tre katëshe në fshatin Dërmënas të Fierit, u gjet duke u rritur kanabis.
Pronari i saj Erjon Marini alias Xhevair Gashi i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të policisë u gjetën dhe u sekuestruan 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës.
Gjithashtu policia njoftoj se u bë bllokimi i vilës 3-katëshe në ambientet e së cilës ishin kultivuar bimët narkotike.
Në prangat e uniformave blu ranë Erjon Marini alias Xhevair Gashi në cilësinë e pronarit të vilës.
Gjithashtu u arrestuan edhe Klajdi Gremi 40 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës” dhe Behar Fata 47 vjeç, me detyrë elektriçist i OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Tanimë duket sikur termin shtëpi bari e ka zëvendësuar “Vila Bari” pasi në harkun kohor të një jave u kapën dy vila luksoze brenda së cilave kultivoheshin bimë narkotike.
Pak ditë më parë në Vlorë në këtë vilë u gjetën qindra rrënjë me kanabis që po kultivoheshin në dy katet e saj..