Incineratori i Elbasanit, avokatët kundërshtojnë akuzat e SPAK, vendimi më 21 shkurt
Gjykata e Posaçme vendosi shtyrjen për në datën 21 shkurt të vendimit për dosjen e incineratorit të Elbasanit.
Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë materialet e procedimit penal ndërsa togat e zeza do të vendosin nëse do të hapin procesin apo do ta kthejnë fashikullin për plotësim hetimesh.
Në seancën e të martës avokatët kundërshtuan akuzat e prokurorisë ndaj të pandehurve, ndërsa gjykata rezervoi disa ditë kohë deri në shpalljen e vendimit.
Për këtë çështje, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, dhe të akuzuarit tjerë Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k, si dhe shoqëria “Integrated Technology Services”.
Kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq u dorëzua në gjykatë në dhjetor të vitit 2022, por disa seanca janë shtyrë për shkak të avokatëve.
