Policia i heq, vihen sërish kamerat, efektivët vijojnë të presin “Fije” në Korçë dhe Shkodër
Policia e Shtetit vijon aksionin e saj për heqjen e kamerace të vendosura në mënyrë të paligjshme në rrugët e qyteteve shqiptare.
Gjatë kësaj të marte policia njofton se operacione u zhvilluan në qarkun e Shkodrës dhe të Korçës, ku raporton se janë hasur dhe raste të përsëritura
NJOFTIMI I POLICISË KORÇË
Vijon zbatimi i planit operacional policor të koduar "Fijet", të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Çmontohen 7 kamera të tjera dhe iniciohen hetimet për 4 shtetas.
Në këtë qark, deri më tani, janë çmontuar gjithsej 61 kamera dhe janë iniciuar hetimet për 24 shtetas.
Gjithashtu, u konstatua instalimi i kamerave të tjera, nga një shtetas në hetim, të cilit më parë Policia i kishte çmontuar 10 kamera të vëna në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Shërbimet e komisariateve të Policisë Maliq, Devoll dhe Pogradec, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, të koduar "Fijet", të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, kanë organizuar punën me qëllim evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Në Maliq, Bilisht dhe Pogradec, u konstatuan dhe u çmontuan në total, 7 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjet e vendit. Për këto raste, u iniciuan hetimet për shtetasit E. D., A. B. dhe S. H. dhe N. Ll., me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përdorimit të informacionit të siguruar nga këto kamera.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të kësaj faze, rezultoi se shtetasi N. Ll. (babai i shtetasit E. Ll., të shpallur në kërkim për vrasje) është përsëritës për montimin e kamerave në kundërshtim me ligjet e vendit. Më parë, janë çmontuar 10 kamera të cilat dyshohet se kontrolloheshin nga shtetasi N. Ll.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË SHKODËR
Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar "Fijet", të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Shkon në 89 numri i kamerave të çmontuara në total, në këtë qark, që nga nisja e operacionit.
Në vijim të këtij operacioni, të zhvilluar në qarkun e Shkodrës, Policia çmontoi në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit, 10 kamera të tjera. 2 shtetas u vunë në hetim, për vendosjen e tyre në kundërshtim me ligjet e vendit.
Kamerat u çmontuan në lagjet “10 korriku”, “Guerrile” dhe “Ndoc Mazi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në zona me frekuentim të lartë në qytet, kanë vijuar me punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Në vijim të këtij operacioni, në lagjet “10 korriku”, “Guerrile” dhe “Ndoc Mazi”, shërbimet e Policisë konstatuan dhe çmontuan 10 kamera, si dhe nisën hetimet në ngarkim të shtetasve R. Z. dhe A. B., për vendosjen e këtyre kamerave në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.



