Korrupsioni çoi në pranga zyrtarët e bashkisë Dimal, merrnin deri në 3 mijë euro për leje ndërtimi
Zyrtarë të bashkisë Dimal dhe punonjës të një firme private kishin ngritur një skemë abuzimi e përfitimesh nga korrupsioni.
Funksionarët lokalë jepnin leje ndërtimi, por i detyronin qytetarët që për punimet të merrnin kompaninë e tyre të preferuar.
Ora News mëson se për çdo leje ndërtimi ata u merrnin qytetarëve nga 2500 euro deri në 3 mijë euro.
Pas hetimeve të SPAK 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë u vunë pranga me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Arben Gurraj, drejtori i Zyrës së Urbanistikës, Altin Pali, shefi i IKMT-së, Agim Çuni dhe Valentina Jançe, ish-shefe e Urbanistikës u arrestuan nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Bashkë me ta në pranga u vunë edhe Vajet Kushi dhe Arjan Demiri, me detyrë inxhinier dhe ekonomist në një kompani private.
Hetimet që çuan në pranga 4 zyrtarët dhe 2 punonjësit e kompanisë private nisën në vitin 2020.
Asokohë një qytetar që iu prish një biznes privat nga bashkia me pretendimin se do të ngrihej një lulishte, por në të njëjtin vend u ngrit një tjetër godinë, bëri kallëzim penal.
Punimet për lulishte nga ana e Bashkisë u provua se favorizonin personin tjetër me të cilin kallëzuesi pranon se ka pasur një konflikt pronësie.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
