Kadastra i shpëton hakerave
Sistemi online i Hipotekës i ka shpëtuar sulmeve të hakerave. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Kadastrës, Artan Lame, ku ka kërkuar ndryshimin e ligjit për privatizimin e ish-ndërmarrjeve bujqësore.
Sulmi kibernetik i Iranit ndaj vendit tonë nuk ka prekur sistemin e Kadastrës.
Pavarësisht se edhe ai është pjesë e menaxhimit të AKSHI-t, kreu i Agjencisë Artan lame shprehet se gjithçka është e sigurtë.
"AKSHI është aktori shtetëror përgjegjës për sigurinë e të dhënave. Sistemi jonë deri tani bën pjesë te ato pak sisteme që nuk janë atakuar."
Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Lame ngriti shqetësimin për vonesat e proceseve gjyqësore.
"Tjetër problem që është nga më të ndjeshmit tani për ne, ke një sistem gjyqësor shumë të ngadalshëm. Në momentin që qytetarit i thua shko në gjykatë frenohen në mënyrë të jashtëzakonshme, gjë që shton presionin te ne."
Në Kuvend, Lame argumentoi ndryshimin në ligjin për përfundimin e privatizimit të ish-ndërmarrjeve bujqësore.

