Nxënësit në klasa të armatosur/ Zbardhet konflikti në Laç, arrestohet 17-vjeçari që plagosi shokun

Policia e Kurbinit ka arrestuar 17-vjeçarin, i cili plagosi të hënën një 15 vjeçar jashtë dyerve të gjimnazit ku ata mësonin. Forcat e rendit kanë arritur që të gjejnë edhe armën me të cilën u krye plagosja, ndërsa mësohet se i riu mbante armë me vete edhe në shkollë. Ende nuk dihet se ku e kishte marrë armën me të cilën plagosi nxënësin 17-vjeçari, ndërsa ai u fsheh për disa orë në një banesë të braktisur.

Policia ka arritur të zbardhë konfliktin e ndodhur  mes dy nxënësve të gjimnazit "At Shtjefen Gjeçovi" në Laç, ku mbeti i plagosur me armë zjarri njëri prej tyre.

Disa orë pas ngjarjes, blutë bënë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të plagosjes së 17-vjeçarit A. Gjeta.

I riu u arrestua në një banesë të braktisur në Kurbin.

Pak orë pas arrestimt të tij  u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit e përdorur nga autori, të cilën e kishte hedhur për ta fshehur në një parcelë toke bujqësore, në afërsi të një ure në Sanxhak të Kurbinit.

Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i armës së zjarrit si dhe disa fishekëve luftarakë të cilët iu gjetën në dhomën e tij gjatë kontrollit të banesës.

Ndaj shtetasit A. Gjeta janë ngritur akuzat " Plagosje e rëndë me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake".

Konflikti mes nxënësve të gjimnazit të Laçit, ndodhi rreth orës 12 e 20 minuta të së hënës jashtë ambjenteve të shkollës, ku pas debatit verbal për motive të dobëta, 17-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete në shkollë dhe qëlloi në këmbë 15-vjeçarin L.RR, duke e lënë të plagosur.

Ai u dërgua menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit, nga ku bëhet e ditur se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.