Pamjet e vjedhjes së makinës në Laprakë nga Xhuljano Sorra dhe Ahmet Musaogullari

Ky është momenti kur dy të rinjtë Xhuljano Sorra dhe Ahmet Musaogullari largohen nga zona e Laprakës pasi kanë kryer vjedhjen e “Benzit” luksoz që shihni në këto pamje.

“Ora News” ka siguruar videot ku shihet automjeti teksa largohet pasi është vjedhur nga dy të rinjtë tashmë të arrestuar nga policia.

Ngjarja ka ndodhur më 24 Janar, dhe dy të arrestuarve i është dashur vetëm pak minuta për të hapur makinën luksoze, që më pas u çmontua dhe u shit për pjesë.

Kanë qenë pikërisht këto pamje filmike si dhe kamera të shumta të sekuestruara nga agjentët e komisariatit nr.3 në Tiranë, që kanë provuar autorësinë e Xhuljano Sorrës dhe Ahmet Musaogullarit.

Burime bëjnë me dije se vjedhja është kryer përmes ndërhyrjes në paketën elektrike të automjetit tip “Benz”.

Pas arrestimit të 2 autorëve, uniformat blu sekuestruan disa nga pjesët e makinës u vodh.

Por prokuroria e përfaqësuar në këtë çështje nga prokurori Milan Laskaj, ka kamerat në dorë dhe faktet dhe pjesët e çmontuara, dhe pse serviset janë në gjendje të lirë.

Njoftimi i Policisë më 12 shkurt

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar "Demolition", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Vodhën një automjet, e çmontuan në pjesë dhe më pas i shitën ato, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 2 aparate celulare, një pajisje DVR me pamje filmike dhe pjesë të ndryshme të automjetit të vjedhur. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Demolition".  

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:

- Xh. S., 29 vjeç dhe A. M., 26 vjeç, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, më datë 24.01.2023, kanë vjedhur një automjet tip "Benz", në Laprakë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Xh. S. dhe A. M., pasi kanë vjedhur automjetin, e kanë çmontuar atë dhe pjesët e tij i kanë shitur në pika shitjesh për pjesë të përdorura automjetesh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, një pajisje DVR me pamje filmike, si dhe pjesë të ndryshme të automjetit të vjedhur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.