“I strehojmë në shtëpitë tona”/ Qytetarët solidarizohen me të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri: Japim çfarë kemi!
Në Tiranë janë të shumtë qytetarët që po kontribuojnë për të mbijetuarit nga tërmetet në Turqi e Siri. Në çadrën e ngritur në Sheshin Skënderbej ku grumbullohen ndihmat po dorëzohen kryesisht veshje, por qytetarët thonë se janë të gatshëm t`i strehojnë të prekurit edhe në shtëpitë e tyre.
Nga ato pak veshje të tyret, disa i kanë ndanë veç për t`ua dërguar të prekurve nga tërmeti në Turqi.
“Tre xhupa për burra, dy për gra dhe veshje të tjera që i hoqëm nga dollapi jonë”, tha ai.
Jetojnë me qira e jetën e përballojnë vetëm me dy pensione por Terez e Lek Lala duan të ndihmojnë me aq sa munden.
E ndiejnë dhimbjen e popujve të prekur, pasi i kanë ende në kujtesë momentet e tërmetit të tre viteve më parë në Durrës.
“Nuk i shoh lajmet se më dhimbsen. Kam ikur nga Durrësi jetoj këtu, vetëm prej tërmetit”, tha ai.
Në çadrën e ngritur në Sheshin “Skënderbej” janë të shumtë qytetarët që kontribuojnë.
Ndihmat janë kryesisht në veshje.
Duket se ka ndjeshmëri më të madhe veçanërisht për të vegjlit, ku veç rrobave nuk mungojnë as lodrat.
“Ka pampersa, xhupa, triko, atlete, i kisha të mbesës i palosa dhe i solla këtu”, tha ajo.
Fatime dhe Shpëtim Mejdani kanë vajzën në Turqi, telefonatat me të cilën janë bërë më të shpeshta pas tërmeteve atje.
“Nuk më pushonin lotët, edhe sot me qahet, s'mund të flas. I thash vajzës mer fëmijët dhe hajde këtej, djali i madh më tha jo nëna nuk e braktis vendin unë”, tha ajo.
E ndjejnë detyrë njerëzore të ndihmojnë të mbijetuarit.
“Kemi sjellë xhupa, pallto, kapuç, doreza për fëmijë. Xhupat i bleva, por më ngeli merak që nuk vendosa dy pako karamele tek xhupat e fëmijëve”, tha ajo.
Madje janë të gatshëm edhe t`i strehojnë në shtëpitë e tyre.
“Dyert tona janë të hapura”, thanë ata.
Çadra e ngritur në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, do të qëndrojë në pritje të ndihmave për të prekurit nga tërmeti përgjatë gjithë javës.


