Vllaznia fiton klasiken dhe rihap betejën e titullit kampion
Goli i Herald Markut mjafton që Vllaznia të mundë Tiranën në ndeshjen më të rëndësishme të javës 21 në Kategorinë Superiore.
Mesfushori shkoran gjeti rrjetën në minutën e 50 të ndeshjes së luajtur në “Loro Boriçi” për t’i dhuruar ekipit të Mirel Josës një sukses shumë të rëndësishëm në garën për titullin kampion.

Gjyqtari Enea Jorgji akordoi një penallti në favor të shkodranëve në minutën e 48 pas një dueli ajror mes Betiratche dhe Bekim Balajt. Për gjyqtarin kryesor, ndërhyrja ishte 11-metërsh dhe pavarësisht protestave të stërzgjatura të miqve, ai nuk ndryshoi mendim.

Jorgji u konsultua në distancë me VAR-in por nuk shkoi ta shikonte edhe një herë dinamikën që vendosi fatin e takimit më të rëndësishëm të javës së 21.

Tirana nuk ka arritur të fitojë ende asnjë ndeshje ndaj Vllaznisë këtë sezon pasi shkodranët kryesojnë me 2 fitore dhe 1 barazim ndërsa edhe ndeshja e fundit e sezonit mes dy skuadrave, do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Vllaznia e ngushton në 3 pikë diferencën me skuadrën bardheblu që thyhet dhe bën një hap pas edhe pse mbetet në vendin e parë.

Mirel Josa:
“Nuk mendoj shumë për kampionatin. Ne duhet ta sigurojmë sa më shpejt Europën. Tre pikët na bëjnë mirë vetëm për siguri dhe optimizëm. Ndeshjet derbi fitohen edhe në këtë mënyrë. Unë nuk kam folur për titull kur kam qenë 12 pikë përpara me Skënderbeun. Duhet të jemi të përqendruar. Ekipi duhet të rrisi besimin te vetja, lojtarët duhet të kenë besim te njëri-tjetri”.

Orges Shehi:
“Të tre rezultatet ishin në këtë takim. Nuk e meritonim të humbisnim, meritonim më shumë për atë që u dha në fushë. Mendoj se vendosi vetëm ajo penallti që Vllaznia fitoj sot. Bilbili u fry shpesh në këtë ndeshje, për aq kohë sa kishte lojë efektive, kemi dalë në dy raste para portës së kundërshtarit. Vllaznia ka cilësi.
Të vjen keq që kjo ndeshje mbyllet me një episod. Vllaznia luante vetëm me top të gjatë dhe me Bekim Balajn që ulte topat. Për mua ai rast nuk ishte penallti për Vllazninë. Mbrojtësi ynë nuk u interesua për Balajn, shkoi Balaj tek ai. Nuk e di se çfarë pa Jorgji aty.”





