Real Madrid pa konkurrentë në planet, fiton Botërorin e pestë të Klubeve (VIDEO)
Real Madrid kompleton sezonin e kaluar me një trofe që i vendos kapakun rrugëtimit të suksesshëm të Kupës së Kampioneve.
Mbretërit e Europës triumfuan në Botërorin e Klubeve që u zhvillua në Marok me një sukses të merituar 5-3 ndaj Kampionëve të Azisë, arabëve të Al Hilal që nuk bënë rezistencë ndaj superfuqisë madrilene ku Federico Valverde dhe Vinicius Jr. shkëlqyen me nga dy gola ndërsa një tjetër e shtoi Benzema.
Për arabët një Marega dhe dy herë Vietto shënuan tre golat e nderit që e bëjnë më pak të dhimbshme disfatën e skuadrës që eleminoi Flamengon dy ditë më parë.
Real Madrid është ekipi rekordmen i këtij turneu me 5 trofe të fituar dhe shtuar këtu edhe 3 kupa Interkontinentale, “Los Blancos” numërojnë plot 8 trofe që simbolizojnë mbylljen e një sezoni të gjatë me kurorëzimin e skuadrës më të mirë të planetit.
Al Hilal është i pari ekip nga Arabia Saudite që arriti në një finale të botërorit.
