FOTO/ Të rinjtë protestojnë para SPAK: Jeni peng dhe vegël e Ramës

Të rinjtë e FRPD-së organizuan këtë të enjte një protestë simbolike para SPAK, ku kanë depozitur 'dosjet korruptive' të qeverisë së Edi Ramës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

Me nga një dosje specifike në duar para SPAK, si dosja e ‘Inceneratorit të Tiranës’, ‘Inceneratorit të Elbasanit’, dosja e aferës ‘Rama-McGonigal’, dosja e ‘Tenderave Sekretë’, dosja e ‘Veliajt me Ndragetën’, dosja e ‘Patronazhistëve’, dosja e ‘AKSHI-t’, të rinjtë kanë kërkuar që drejtësia të veprojë dhe të marrë në hetim personat përgjegjës për krimet që janë duke i bërë shqiptarëve.

"Ne kemi paraqitur një pjesë të mirë të dosjeve, ku më kryesorja është dosja e aferës Rama-McGonigal dhe i bëjmë thirrje SPAK, që është bërë KAPS, të mos vazhdojë të jetë vegël në dorën e një kryeministri që shkel ligjin, por t'i vërë gishtin kokës pasi paguhen nga taksat e shqiptarëve. Të mos kthehen në mburojë të një qeverie mafioze të inkriminuar dhe të korruptuar. T'i kthehen qytetarëve dhe të mbajnë përgjegjësi", u shpreh një nga të rinjtë e FRPD-së.

"Çështja e inceneratorëve ka arritur kulmin. Pse SPAK nuk po vepron, pse hap vetëm dosjet e peshqve të vegjël, pse Rama-Veliaj-Balla nuk po dalin para drejtësisë. Pse SPAK hesht, pse nuk është në krahun e popullit, por në krahun e interesave të këtyre inceneratorëve. Ku janë këto lekë? Pse po shpopullohet çdo ditë e më shumë vendi? Mos vallë paratë po përdoren për masakrat zgjedhore dhe firmat fantazma? 

Të dashur qytetarë, dua të bëj një thirrje për protestën e 11 shkurtit​. Të gjithë të dalin në protestë, pasi që revolucioni nqs është do të fillojë edhe nga këtu. Do vijmë edhe në shtëpitë e juaja, në çdo vend ku do të jeni, derisa ky vend të ketë drejtësi. SPAK të flasë derisa gjykata të mos jetë më peng i Edi Ramës, por opozita të jetë e lirë siç është. Populli të flasë me votë të lirë dhe të jemi të gjithë në protestë dhe në revolucion", tha një tjetër i ri.