Sekuestrimi i minave me telekomandë në Vlorë, një i tretë në kërkim, si u ndryshua vendi i takimit
Ora News mëson se një person i tretë vijon të kërkohet nga policia në qytetin e Vlorës lidhur me sekuestrimin e tre minave me telekomandë.
Fillimisht takimi është lënë mes tre persona për tu kryer në qëndër të Vlorës, tek zona e quajtur "Kulaçi".
Personat dyshonin se mund të ndiqeshin nga policia dhe kanë ndryshuar vendin e takimit në një zonë periferike.
Në zonën periferike është vendosur të bëhej shkëmbimi i 3 minave me 10 mijë eurot.
Në operacionin policor të koduar "Knockout"u arrestuan shtetasit B. U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.
Ata akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
"Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro".
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
