Shpërndanin kokainë e kanabis në kryeqytet, në pranga të rinjtë në Yzberisht

Një 27 vjeçar dhe bashkëpuntori i tij 16 vjeç janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi shpërndanin lëndë narkotike.

Sekuestrohen rreth 2 kg kanabis, doza kokaine, 2 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe 189 800 lekë të rinj që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Direction" u arrestuan në flagrancë shtetasi M. K., 27 vjeç dhe një shtetas 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 i kanë lokalizuar dhe ndaluar këta 2 shtetas, në Yzberisht. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit M. K. dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një sasi dozash kokaine, 2 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe 189 800 lekë të rinj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.