Aktivistët pas patronazhistëve, Meta: Në aplikacionin e Partisë Socialiste edhe prokurorë e gjyqtarë

Partia Socialiste ka reaguar lidhur me akuzat e opozitës për aplikacionin “Aktiv1st”. Sekretari për Digjitalizimin në PS, Etjen Xhafaj është shprehur se aplikacioni përdoret thjesht për komunikim dhe lajme. Vetëm disa minuta pas deklaratës së Xhafajt, kreu i PL deklaroi se pjesë e listës së përdoruesve të aplikacionit janë dhe prokurorë e gjyqtarë.

Ndryshe nga opozita që e shikon aplikacionin aktivisti si presion ndaj administratës për të shpërndarë lajmet, PS shprehet se angazhimi është vullnetar. Madje Etjen Xhafaj pranon se qëllimi është përhapja e informacionit dhe thekson se është aplikuar edhe nga ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

"Nuk ka propagandë aty se aty janë lajme, në asnjë rast nuk është detyruar njeri, dënuar njeri apo ankimuar ndaj dikujt pse nuk ka qenë apo nuk ka bërë në aktivistë."

Vetëm disa minuta pas tij nga Partisë e Lirisë, Ilir Meta akuzon se në këtë skemë janë përfshirë dhe njerëz të drejtësisë.

"Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohet se pjesë e listës janë bërë  të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë dhe shumë punonjës të institucioneve të drejtësisë të ashtuquajtur të re."

Ndërsa PD e konsideron aplikacionin si terror psikologjik i zhvilluar pas patronazhistëve.

"Nënpunësit publik nëse nuk ju bëjnë like ose share postimeve të kryeministrit apo ministrave largohen nga puna dhe nëse janë aktiv shpërblehen me pikë, që shërbejnë si bonus për promocione."

Opozita ka akuzuar Partinë Socialiste se administratës i ushtrohet presion për vendin e punës duke i renditur me pikë sipas shpërndarjes së lajmeve të qeverisë në rrjetet sociale.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.