Braimllari: Zbrazja e vendit nga Rilindja, shkatërrimtare. 11 shkurti, dita kur populli do të vendosë

Partia e Lirisë deklaron se largimi masiv i shqiptarëve për shkak të korrupsionit të qeverisë vijon të konfirmohet jo vetëm nga organizatat ndërkombëtarë, por dhe nga institucionet e vete Rilindjes.

Nënkryetari i kësaj partie, Endrit Braimllari u shpreh se zbrazja e Shqipërisë me një agjendë të përcaktuar qartë nga qeveria “Rama” po sjell pasoja shkatërrimtare për ekonominë në të gjithë sektorët e vendit.

Ndaj tha ai, 11 shkurti është dita kur populli do të vendosë në protestën e thirrur nga opozita. Pasi, siç tha ai, populli është gjykatësi i vetëm dhe më i drejtë.

“Sipas Drejtorisë së Tatimeve numri i bizneseve që kanë detyrime të pashlyera dhe të shpallura tashmë nën sekuestro është 34 mijë. Këto biznese janë në emër të qytetarëve të cilët kanë braktisur vendin.

Një nga arsyet kryesore që ka çuar drejt falimentit këto biznese është bërë niveli i lartë i emigracionit që ka sjellë dhe ulje të të ardhurave për këto biznese. Largimi masiv i qytetarëve në qendër të tij ka popullsinë më aktive dhe më prodhuese për tregun dhe ekonominë, duke bërë që vendi të humbë kapitalin njerëzor, forcën e punës me produktivet të lartë.

Të gjithë shqiptarët e kuptojnë qartë që Rilindja mbushi xhepat e saj dhe të oligarkëve duke rritur çmimet dhe duke zhvatur njerëzit e thjeshtë. Fakti që qeveria mbledh 500 milionë euro më shumë ndërkohë që 34 mijë biznese janë të sekuestruara e të falimentuara është prova e pakundërshtueshme që të vetmit që janë plaçkitur nga qeveria janë qytetarët e thjeshtë.

Korrupsioni i lartë, me miliarda euro duke filluar nga inceneratorët, Porti i Durrësit dhe koncesionet,  mungesa e vendeve të punës, pagat e ulta, nepotizmi kanë sjellë që në 10 vite të qeverisë së Edi Ramës të largohen qindra mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj.

Zbrazja e Shqipërisë me një axhendë të përcaktuar qartë nga Rilindja po sjell pasoja shkatërrimtare për ekonominë në të gjithë sektorët e vendit ndaj dhe parashikimet e rritjes ekonomike vazhdojnë të ulen dhe ndërkohë borxhi publik po arrin nivele katastrofike duke çuar vendin në prag të kolapsit ekonomik.

Në 11 shkurt të gjithë qytetarët do të jenë në shesh, pasi të gjithë janë të vjedhur, të plaçkitur dhe të tradhëtuar nga qeveria. Të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë që Shqipëria ka sot një kryeministër mafioz dhe ku afera Mcgonigal e provoi totalisht këtë gjë, një kryeministër që e ka kthyer zyrën e shtetit në një zyrë private dhe Shqipërinë në një pronë personale.

11 shkurti është dita kur populli do të vendosë. Pasi populli është gjykatësi i vetëm dhe më i drejtë”, deklaroi nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari.