Nga Tirana në Vlorë për të shitur 3 mina me telekomandë për 10 mijë euro, në pranga pukjanët

Dy të rinj 31 dhe 21 vjeç kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi po tregtonin mina me telekomandë kundrejt vlerës monetare prej 10 mijë eurosh. Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku u arrestuan në momentin që do të bënin dorëzimin e minave, ndërsa policia nuk dha detaje se ku janë prodhuar lëndët plasëse.

Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës pasi janë kapur në tentativë për të shitur 3 mina me telekomandë.

Këto janë momentet kur policia arreston të rinjtë në një lokal në Vlorë.

Mësohet se minat ishin bërë gati për një grup kriminal, dhe për to ishin paguar 10 mijë euro.

Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku kanë përfunduar në pranga, ndërsa po bëheshin gati të dorëzonin tre minat me telekomandë.

Policia tha se sekuestroi 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Policia pavarësisht se tha se minat ishin bërë gati për tiu shitur një grupi kriminal, nuk njoftoi për arrestimin e asnjë asnjëtari të këtij grupi.

Bledar Ukshini dhe Adil Qamluku të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, do të hetohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i policisë Vlorë

Finalizohet si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar "Knockout", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, që ka si synim krimet kundër personit dhe pronës.

Tentuan të shisnin mina me telekomandë, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohen 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i një hetimi disajavor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knockout”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B. U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.