Mbi 3 mijë vdekje nga kanceri, mjekët: Më i përhapur tumori i mushkërive, i gjirit dhe i lëkurës
Mbi 3 mijë e 500 persona humbin jetën çdo vit nga tumoret në vendin tonë! Mjekët thonë se ai i mushkërive është më i përhapuri, pas tij renditet kanceri i gjirit dhe lëkurës. Për drejtorin e Spitalin Onkologjik në Tiranë paraqitja e vonë e pacientëve të mjeku dhe mungesa e medikamenteve mbeten shqetësim kryesor.
Tumori mushkërive është më i përhapuri në Shqipëri. Pas tij renditen kanceri i gjirit dhe i lëkurës.
"Sëmundjet onkologjike vazhdojnë të jenë ato sëmundje të cilat janë në rang të dyta pas atyre kardiovaskulare. Rreth 40% të tyre e zënë kanceri i pulmonit, i gjirit," tha Helidon Nina.
Helidon Nina, Drejtor Mjekësor i Spitalit Onkologjik në Tiranë thotë se numri i personave të prekur nga kanceri ka shënuar rritje nga viti në vit.
"Nga 2-5%janë patolitë e tjera onkologjike si kanceri i zorrës së trashë, i ventrikulit, i sferë gjinekologjike, vezira urinare," tha ai.
Sipas të dhënave të INSTAT të vitit 2021 tumoret ishin shkak për vdekjen e mbi 3400 personave.
Statistikat janë shqetësuese por mjeku Nina thotë se vdekshmëria është ulur.
"Kemi ofruar në spitale si diagnostikimin e saktë për pacientët dhe trajtimin. Kjo ka sjellë uljen e vdekshmërisë," tha ai.
Paraqitja e vonë e pacientëve të mjeku dhe në disa raste mungesa e medikamenteve për trajtimin e tumoreve mbeten problem.
"Rastet e avancuara nuk themi që janë zhdukur dhe ato vazhdojnë të jenë," tha ai.
Rastet më të shpeshta të kancerit janë vërejtur në grupmoshën 50-70 vjeç dhe më të prekur rezulton të jenë meshkujt. Ndër faktorët e riskut të parin mjekët listojnë jetën sedentare.
"E përgjithashmja duhet të ishte që të bëjmë një jetë sa më të shëndetshme," tha ai.
Referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, duke llogaritur rreth 10 milionë vdekje në vitin 2020.
