Bie numri i të prekurve me grip, ekspertët e ISHP: Po e kalojmë pikun

Instituti i Shëndetit Publik thotë se virusi i gripit, e kaloi pikun pasi rastet janë në rënie. Megjithë reduktimin e infektimeve me të paktën 1mijë raste në javë, ekspertët thonë se qarkullimi njëkohësisht i tri virozave e bën të paqartë dhe të pa parashikueshme situatën gjatë shkurtit.

Gripi e ka kaluar tashmë pikun e tij, pasi sipas ISHP java e fundit ka shënuar një ulje, numrit të të prekurve.

Mjeku Dritan Ulqinaku thotë se numri i infektimeve ka ardhur në ulje me rreth 1 mijë raste më pak nga java, në javë.

"Java e parafundit që arriti pikun, ishte diku te 17 mijë raste me infeksione aspiratore në javë, kurse këtë javë është diku te 16 mijë, prap kemi një qarkullim të dendur. Kemi një tendencë përmirësimi, përsa i përket këtij qarkullimi," tha ai.

Qarkullimi njëkohësisht i tri viruseve në këtë dimër, megjithatë e bën të vështirë parashikimin e situatës.

"E veçanta e këtij viti është qe ne kishim tre viruse në qrkullim. Kjo veçori nuk ishte hasur prej shumë vitesh më përpara. Mund të themi që e kaluam pikën më të keq, po qarkullimi i tre viruseve na bën të jemi pak më dyshues dhe s'mund të flasim me siguri," tha ai.

Fatmirësisht deri tani nuk ka pasur vdekje për shkak të gripit, gjithashtu e qëndrueshme paraqitet edhe përhapja e Covidit në vendin tonë.