"Urgjenca e Kukësit plot", mjekët: Deri në 150 vizita në ditë, po qarkullojnë 4 viroza

150 vizita në ditë bëhen në urgjencën e Kukësit, kryesisht persona të prekur nga virozat. Mjekët specialist thonë se në qarkullim janë 4 lloje të virozave me shenja klinike të përafërta, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët. Mjekët apelojnë prindërit që të mos përdorin medikamente pa rekomandim

Ulja e temperaturave dhe piku i virozave janë shkaktarët e fluksit të lartë të sëmurëve, në spitalin e Kukësit.

Vetëm në një ditë urgjenca pret 150 pacientë, pohon shefi i këtij reparti Emin Ferati.

"Janë 4 viruse që qarkullojnë aktualisht, përfshir këtu edhe virisin e Covid, i cili është akoma në qarkullim dhe kanë të njëjtën klinikë, dhe është vështir të dallohen," tha ai.

Situata paraqitet edhe më e rëndë në repartin pediatrik, mbi 80 fëmijë në ditë, marin trajtim mjeksorë.

Prindërit i çojnë fëmijët e tyre pas komplikacioneve për ndihmë mjeksore më të specializuar, në spital.

Mjekja pediatre, Lume Elezi bën deri në 60 vizita në ditë.

Ajo thotë se ky fluks është shumë i lartë, ndërsa apelon prindërit që të mos përdorin antibiotikë, pa rekomandimin e mjekut.

"Kemi rreth 2 vajë që numri i rasteve të fëmijëve që paraqiten në urgjencë është rritur. Paraqiten rastet kur fëmijët kanë temperatur të lartë deri në 41 gradë, me heqje barku, me kollë. Në qoftë se temperatura zgjat mbi 5 ditë, do vjinë të këshillohen te mjeku, nuk u rekomandojmë të shkojnë të marrin antibiotik në farmaci," tha ajo.

Urgjenca e Spitalit Rajonal të Kukësit, gjatë ditëve normale, pret 40-50 pacientë që kërkojnë ndihmë mjeksore, ndërsa këto ditë, ky numër është tre fishuar, duke arritur deri në 150 vizita në ditë.