Virozat mbushin pediatrinë në Lezhë, janari me fluks të jashtëzakonshëm
Muaji janar ka qenë i jashtëzakonshëm sa i përket Pediatrisë në Lezhë.
Deri në 80 fëmijë në ditë kanë kërkuar ndihmë në urgjencë, ndërsa këto ditë numri ka nisur duke u ulur. Mjekët pediatër bëjnë thirrje për kujdes, ndërsa thonë se në qarkullim janë dy viroza.
Muaji janar është shoqëruar me fluks fëmijësh të cilët janë paraqitur për ndihmë mjekësore në urgjencën pediatrike të spitalit Rajonal të Lezhës.
60 deri në 80, është numri i fëmijëve që janë paraqitur çdo ditë për ndihmë mjekësore, ndërsa gjatë diteve të fundit ka një tendecë në rënie të fluksit.
Diçka e tillë bëhet e ditur nga mjeku pediatër Mark Marku sipas të cilit, kjo periudhë ka qenë më e ngarkuar, duke e krahasuar më 1 vit më parë.
"Ka patur një shtim të sëmundshmërisë në të gjitha moshat pediatrike. Veçanarisht nga mosha në 0-1vjeç deri në 10 vjeç. Ditët e fundit kemi një tendencë për rënie të situatës epidemike që ka qenë e ngarkuar. Në fillim të janarit kemi kaluar në urgjencën pediatrike 60-70 fëmijë, aktualisht numri i të sëmurëve që po kalojnë në urgjencën pediatrike çdo ditë është 40-50 fëmijë," tha ai.
Në qarkullim janë dy viruse dhe më i rëndi është ai që ka prekur fëmijët nën 12 muajsh ku ka patur dhe raste të rënda por që janë përballuar me sukses, thotë mjeku pediatër Mark Marku.
"Mendojmë që janë dy viruse në qarkullim, virusi i parë është një virus aspiratorsisincial që ka prekur moshat nën 12 muajsh, ku ka dhënë dhe forma te rënda bronkiolitesh , bllokim në rrugët e frymëmarrjes ku jemi të detyruar ti ndihmojmë me oksigjen dhe me terapi në spital, dhe virusi tjetër stinor i cili ka kapur fëmijët nga mosha 1-10 vjeç me temperaturë," tha ai.
Në këtë periudhë spitali Rajonal i Lezhës është përballur dhe me fluks pacientësh të rritur, të prekur nga virozat dhe viruse të ndryshme.
