Komplikacionet e gripit, mjekët: Shkakton pneumoni, më të rrezikuar personat mbi 60 vjeç

Gripi dhe virozat kanë shtuar urgjencat në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi, deri në 60 raste në ditë këtë muaj. Ndër ata që paraqiten me komplikacione dominon mosha e tretë dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Mjekët apelojnë për kujdes pasi sipas tyre gripi që po qarkullon tani shkakton pneumoni.

Personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje kronike janë më të predispozuar për të shfaqur komplikacione nga gripi apo virozat e stinës, që qarkullojnë këtë dimër.

Pneumologu Arben Tanka tregon simptomat dhe rastet, kur duhet t`i drejtohemi mjekut.

 "Fillon me viroza normale, më pas me temperaturë dhe dhimbje muskujsh, nëse shenjat vazhdojnë të zgjaten dhe vazhdon një kollë që është me gëlbazë me ngjyrë të verdhë, që kanë dhimbje gjoksi, shtohet kolla, follon ulja e oksigjenit. Duhet të drejtohemi tek mjeku i familjes tek mneumologu," tha ai.

Pneumonia është një ndër komplikacionet që shkakton gripi.

"Vijnë edhe spoqet e riakultizuar, pra të sëmurët që vuajnë nga sëmundjet kronike të mushkrive që ju është mbivendosur një infeksion në teren, të një viroze ose të gripit, astma e acaruar me infeksion dytësor," tha ai.

Mjeku Tanka thotë se gripi e virozat kanë shtuar urgjencat në Spitain Universitar Shefqet Ndroqi. Në një ditë numri i personave që paraqiten për ndihmë shkon deri në 60.

" Jo të gjithë me komplikacione të gripit por janë me patologji të tjera, shoh një numër në rritje në urgjenca. Edhe shtrimet janë shtuar, aktualisht kemi të shtruar mbi mesataren e kapacitetit të vëndeve," tha ai.

Kurba e të prekurve pritet të arrijë pikun në fund të janarit.

"Pritet të jenë, pritjet nëpër urgjenca por dhe paralelishtë me numrin e shtrimeve, të sëmurëve që kanë influencë grip ose viroza të tjera," tha ai.

Për të shmangur komplikacionet mjekët këshillojnë kryerjen e vaksinës kundër gripit veçanërisht për të moshuarit.