Ryshfeti për një skaner çon në pranga dy mjekët tek QSUT, qytetarëve u kërkohen analiza tek privati
Marrja e ryshfetit për kalimin e pacientëve pa radhë në skanerin ka çuar në pranga mjekun e qsut Nazmi Metaliu dhe imazheristin Astrit Mansaku. Sipas përgjimeve të kryera ata akuzohen se në të paktën 15 raste, kanë marrë shuma parash nga qytetarët për të hyrë pa radhë në skaner. Ndërkohë pacientët e pyetur nga Ora News, tregojnë se disa analiza detyrohen ti kryejnë në privat pasi shteti nuk i ofron. Nga ana tjetër disa pacientë kanë pritur dy javë për marrjen e shërbimit.
Korrupsioni me shmangien e radhës në skanerin e QSUT në Tiranë, është bërë shkak për arrestimin e një mjeku dhe imazheristit.
Të arrestuarit janë Nazmi Metaliu, mjek dhe Astrit Mansaku, teknik i Shërbimit të Imazherisë në QSUT.
Ata akuzohen se merrnin shuma monetare nga qytetarët në këmbim të futjes jashtë radhe në skaner. Policia tha zyrtarisht se dy të arrestuarit u merrnin para pacientëve, për të shmangur procedurën standarde spitalore.
Kjo rregullore përcakton kryerjen e skanerit sipas radhës, por për shkak të kërkesave të shumta nga kryeqyteti dhe rrethet e tjera, pritja në disa raste zgjat me muaj.
Për shërbimin e skanerit në QSUT, flasin vetë qytetarët.
Nadire Bora nga Gramshi, tregon se ka rreth dy javë që vjen në urgjencë për analiza por ende mjekët nuk kanë dalë në një përfundim për shqetësimet e saj shëndetësore.
Këtë të premte i është kërkuar të kryej një analizë që bëhet vetëm në privat.
"Po bëj dy javë këtu që vij poshtë e lart. Njëherë bëj një analizë, njëherë një tjetër. S'ma kanë përcaktuar akoma. Më thanë që nuk bëhet këtu. Më thanë se bëhej në privat," tha ajo.
Ndërsa ky zotëri nga Skrapari, thotë se është i kënaqur nga shërbimi në spital.
"Më pritën aq mirë, më bënë analizat. Jam shuëm i kënaqur," tha ai.
Ai mohon të ketë dhënë lekë për të marr shërbimin, por thotë se mjekët duhet të paguhen më mirë.
"Veç një gjë të bëjë shteti. Po të ketë mundësi t'ua ngrejë pak atë rrogën. Nuik e di sa marrin por mua më pritën shumë mirë," tha ai.
Gjatë vitit të kaluar u arrestuan dy mjekët Evdin Prifti në shkurt 2022 dhe Fitim Marku në spitalin e Traumës në shtator të 2022. Rasti i fundit ishte pikërisht për radhën e vizitave në urgjencën e Spitalit të Traumës.

