Tërmetet i shkatërruan shtëpinë, Ramiz Lela nga Klosi kërkon rivlerësim dëmesh, shtëpia e pabanuar
Tërmeti i vitit 2019 por edhe ai i mesit të janarit të këtij viti i shkatërruan shtëpinë Ramiz Lelës nga Klosi. Ai aktualisht po trajtohet me bonusin e qirasë, ndërsa apelon institucionet që të bëjnë një rivlerësim dëmesh, pasi banesa e tij është e pabanueshme.
Kjo është banesa e familjes së Lela nga fshati Mishtër i Klosit.
Ajo është dëmtuar rëndë nga lëkundjet e tërmetit të 26 Nëntorit të vitit 2019, por edhe nga lëkundjet e 15 Janarit të këtij viti.
Kryefamiljari Ramiz Lela shprehet se në atë kohë ka shkuar Komisioni i Vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe ka bërë vlerësimin.
Ai po trajtohet me bonus qiraje por kjo nuk është zgjidhja që i duhet, pasi banesa është vlerësuar e pabanueshme nga ekspertët.
Çarjet e mureve, dyshemesë, kolonave, e gjithë strukturës është krejt e dukshme.
Ramiz Lela: Me një ndihmë ekonomike të vdekur, këta nuk më përgjigjen. Thonë bonus qiraje 100 mijë lekë. Unë dua të më përgjigjen për këtë dëm që ma ka ndodhur. Kjo është dëmtuar nga tërmeti i 2019. Unë jam vetë i katërti.
Sipas kryefamiljarit vlera e nxjerrë nga ekspertët për banesën e tij është 1 800 000 lekë të rinj.
Ai kërkon që të rivlerësohet dëmi, pasi banesa ka një sipërfaqe prej 120 metra katrorë dhe ta lejojnë atë të ndërtojnë banesën e re aty pranë.
Nga ana tjetër, Ramiz Lela, tha se nëse nuk gjen zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, atëherë do të nisë një proces gjyqësor.

