Në Gjirokastër dritat fiken me një pikë shi, 3 fshatra vuajnë ndërprerjen e energjisë

Fshatrat Kardhiq, Fushbardhë dhe Çepunë në Gjirokastër vuajnë mungesën e energjisë elektrike sidomos gjatë dimrit. Shkak për ndërprerjen e energjisë bëhen linjat e amortizuara në të cilat nuk është ndërhyrë prej vitesh. Banorët thonë se dritat fiken sa herë bie shi, ndërsa problematika kanë pasur edhe me pajisjet elektroshtëpiake.

Linjat e amortizuara elektrike në fshatrat Kardhiq, Fushbardhë dhe Çepunë në Gjirokastër, kanë sjellë problematika të mëdha tek banorët.

Dritat ikin sa herë bie shi dhe për orë të tëra, fshatrat mbesin në errësirë.

"Kanë 3-4 orë që janë prerë, dhe natën na priten.

E kemi shum problem për dritat sa ç'të themi...

Kemi një vit që herë fiken, herë ndizen. Nuk e dimë si e kanë hallin," thonë ata.

Banorët thonë se situata është bërë shqetësuese për ta.

"Po ra një pikë shi këtu nuk ndizen dritat, një pikë shi. Kur tna i lëshojnë.
E kemi shum vështirë dhe për pajisjet elekrtoshtëpiake ato prishen. Na janë djegur disa herë," thonë ata.

Linjat e amortizuara janë shkak kryesor i shkëputjes së energjisë elektrike në fshatrat e Gjirokastrës, por të njëjtin fat të keq e kanë edhe pjesa më e madhe e fshatrave në të gjitha bashkitë e tjera të qarkut.