Kaos me Apelet/ Mbyllen 7 gjykata në rrethe. Avokatët paralajmërojnë “betejë” në Kushtetuese
7 Gjykata Apeli në rrethe janë mbyllur, për tu transferuar në Tiranë, aty ku sipas hartës gjyqësore do të jetë vetëm një Gjykatë Apeli. Të gjithë qytetarët nga veriu në jug, do t’i drejtohen tanimë Tiranës për të zhvilluar gjyqe në Apel. Avokatët kanë lajmëruar ankim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa qytetarët thonë se kostot tanimë janë të pabërballueshme.
E marta e 31 janarit është dita e fundit e funksionimit të 7 Gjykatave të Apelit në vendin tonë.
Duke nisur prej 1 shkurtit të gjitha çështjet e apelit do të gjykohen në Tiranë.
Harta e re gjyqësore e miratuar në 2022 mes shumë debateve dhe kundërshtive, më në fund ka nsiur zbatimin, ndërsa në Tiranë kanë arritur shumica e dosjeve nga rrethet.
Por bashkimi i gjykatave po vijon të kundërshtohet.
Nga Shkodra, kreu i Dhomës së Avokatisë Anton Kosteri, paralajmëroj ankim në Gjykatën Kushtetuese.
Anton Kosteri: “Reagimi tani do të jetë vetëm në distancat ligjore, ne e kemi përgatitur një kërkesë për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, që do përfaqësohet nga dhoma e avokatisë së Shqipërisë”
Këtë veprim vijojnë ta kundërshtojnë edhe avokatët në Korçë.
"Të gjithë e kupjojnë shumë mirë se çfarë pasoja ka vajtja për gjykime nga Korça në Tiranë. Ne nuk po flasim vetëm për avokatin por po flasim për të gjithë njerëzit që do kenë konflikte gjyqësore", tha ai.
Në Vlorë veç avokatëve edhe qytetarët u shprehën të shqetësuar për situtën.
Qytetarët: "Shumë keq kjo për jugun, shumë keq. Kisha një çështje të hapur dhe erdha ta mbyll këtu pa ikur në Tiranë, po nuk u mbyll unë s'e ndjek dotë, kurrë mos u mbylltë.
Shqiptarët do nisen karvan, karvan në drejtim të lindjes si dikur drejtë Stambollit, do nisen drejtë Tiranës.
Do i duhet sarandiotit apo atij nga Vermoshi, etje... të vijnë në Tiranë, shumë keq."
Harta e re gjyqësore është kundërshtuar nga dhomat e avokatëve dhe shoqëria civile, ndërsa ata kanë thënë se do të shtohen kostot për qytetarët.
Tanimë nëpër rrethe qytetarët mund të kryejnë vetëm procedurat administrative për Gjykatën e Apelit, ndërsa gjykimi do të kryhet në Tiranë.

