Arrestoi dhe liroi të burgosurin, pezullohet nga detyra shefi i Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan

Gjykata e Lartë ka vendosur që të pezullojë nga detyra shefin e Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan.Ulian Shpataraku akuzohet se ka arrestuar e më pas liruar në mënyrë të jashtëligjshme një person të shpallur në kërkim. Pezullimin e kishte vendosur gjykata e Elbasanit, por Apeli i Durrësit e ktheu atë në detyrë, ndërsa Gjykata e Lartë vendosi përfundimisht pezullimin e tij.

Gjykata e Lartë ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të shefit të Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan.

Ulian Shpataraku, 37 vjeç, u pezullua nga detyra me 12 shtator të vitit 2022 me vendim të gjykatës së Elbasanit, por u rikthye në detyrë me vendimin e Gjykatës së Apelit në Durrës.

Së fundmi, Gjykata e Lartë ka rikthyer në fuqi vendimin e shkallës së parë që e pezullon nga detyra Shpatarakun.

Gjithçka lidhet me Endrit Filja një person me precedentë kriminal.

Burime për Ora News bëjnë me dije se Endrit Filja është ndaluar nga Ulian Shpataraku.

Pas kësaj është shoqëruar në polici. Aty Shpataraku ka marrë një deklaratë nga Endriti në emër të specialistes Sovjona Kapllanaj, e cila ka firmosur pa ditur çfarë përmbante deklarata.

Endrit Filja ishte në kërkim për përshtatjen e lokalit për përdorim droge, neni 285/a i kodit të procedurës penale.

Filaj u la i lirë më pas nga Shpataraku, ndërsa ky i fundit u pezullua nga detyra, ndërsa vendimin e ka vulosur Gjykata e Lartë.

Ka qenë drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore që ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Lartë, duke i komunikuar pezullimin final nga detyra për shefin e Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan.