Një urim nga Shkodra për 16-vjetorin e “Ora News”, Bepin Kolvataj: Bashkë në misionin drejt të ardhmes

Gazetari dhe korrespondenti i Shkodrës për Ora News, Bepin Kolvataj i është bashkuar urimeve të kolëgeve për ditëlindjen e 16-të të televizonit “Ora News”.

Nga terreni ku po raportonte për situatën në Gjykatën e Shkodrës të krijuar nga nisja e zbatimit të hartës së re gjyqësore, Kolvataj do të bënte dhe një rrëfim ndryshe mbi karrierën e tij disavjeccare pranë “Ora News”.

“Në fakt, për mua ky është viti i dhjetë që jam pjesë e grupit mediatik Ora News dhe RTV Ora. Natyrisht ka qenë një kënaqësi dhe privilegj kjo punë prej një dekade me këtë institucion mediatik, i cili natyrisht ka qenë zëri i qytetarëve dhe i përcjelljes së problematikave të tyre dhe i gjetjes së zgjidhjes për ta.

Natyrisht që në një terren si Shkodra, goxha i shtrirë dhe një qark i cili ka pasur një dinamikë të ngjarjeve që ne kemi mbuluar, mund ta them me plot bindje që ky ekran ka qenë jo vetëm zëri i qytetarëve, por edhe një pikë referimi, qoftë për këta të fundit, por dhe për vetë institucionet.

Ne jemi munduar të jemi kudo me logon e Ora News për të pasqyruar me korrektësi, vërtetësi dhe profesionalizëm të gjitha këto ngjarje që kanë përfshirë Qarkun e Shkodrës por dhe më gjerë.

Mendoj se sot më shumë se kurrë shkodranët dhe shqiptarët kanë nevojë për një ekran si Ora News.

Por dhe ne si gazetarë profesionistë kemi nevojë për një media të tillë ku të mund të punojmë të pavarur dhe të pasqyrojmë në përditshmëri këtë realitet në të cilin jetojmë.

Natyrisht ka problematikat dhe sfidat e veta, por kur ke një ekran i cili nuk e cënon këtë realitet dhe përcjell këtë të vërtetë, natyrisht që është një kënaqësi për të punuar edhe më shumë dhe për të dhënë edhe më shumë.

Prandaj, besoj që Ora News do ta vijojë këtë mision dhe ne së bashku me të do të mundohemi të japim më shumë në aspektin profesional për të qenë ai zëri që qytetarët kanë nevojë për të parë në ekranet e shtëpive të tyre”, u shpreh nga Shkodra, gazetari Bepin Kolvataj.