"Siguria" voton ndryshimet për karrierën ushtarake, ja sportistët që përfitojnë “grada”
Në mbledhjen e sotme, Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka votuar disa ndryshime sa i takon karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
I pranishëm në këtë komision ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili tha se kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është figurë apolitike dhe nuk ka lidhje as me Partinë Socialiste, as me Partinë Demokratike.
“Lidhur me propozimet për ndryshimet në nenin 4 për zëvendësimin e kolonelëve në kolonelë honorifik në të ardhmen nuk mendoj se ka ndonjë problem. Por duhet thënë që duhet të jenë Kolonelë pasi aktualisht nuk kemi “kolonelë honorifikë”.
Ndërsa që të përjashtosh Ministrinë këtu nuk ka se si të politizohet ky komision, sepse ky komision është një lloj noterie. Pra kriteret janë shumë të qartë.
Nëse sportisti e ka fituar titullin kampion apo nënkampion, sipas përcaktimeve të këtij ligji, as nuk ia heq dhe as nuk ia shton dot komisioni.
Është shumë mekanik ky komision. Ministria është institucion Kushtetues dhe është përgjegjës për politikat e sportit dhe detyrimisht duhet të jetë aty. Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të Armatosura s’ka lidhje me PD dhe PS, pra, ska lidhje me politikën”, tha Peleshi.
Kështu, parashikohet se sportistit të nivelit të lartë t’i jepet grada honorifike me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Propozimi për dhënien e kësaj grade bëhet nga një komision i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes dhe një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për sportin. Sipas ndryshimeve, sportistët, të cilët arrijnë të thyejnë rekorde olimpike në kampionatet evropiane dhe botërore do marrin gradën kolonel.
Klasifikimi i gradave honorifike
Gradat honorifike, sipas rezultateve si sportist i nivelit të lartë janë:
Sportisti, i cili thyen rekord olimpik/botëror/evropian- Kolonel
Vendi i parë deri në vendin e tretë në Lojërat Olimpike/kampionat botëror (Kolonel)
Vendi i parë në kampionatin evropian (Kolonel)
ç) Vendi i dytë deri në vendin e tretë në kampionatin evropian (Nënkolonel)
Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike (Nënkolonel)
Vendi i shtatë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike (Major)
Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore (Major)
ë) Vendi i parë në Lojërat Mesdhetare (Major).

